Secondary Adv

Reforma hekurudhore, Shqipëria mbetet e fundit në rajon me 45 për qind të zbatimit

Shqipëria ka ngadalësuar ritmin e reformave në sektorin hekurudhor dhe në vitin 2025 rezultoi vendi me nivelin më të ulët të zbatimit të Planit Rajonal të Reformës Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Shkalla e zbatimit ra në 45 për qind, nga 51 për qind që ishte një vit më parë.


Sipas raportit “2025 Report on the Implementation of the Green Agenda for the Western Balkans Action Plan”, Bosnjë-Hercegovina regjistroi një nivel zbatimi prej 52 për qind, Mali i Zi 60 për qind, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nga 62 për qind, ndërsa Serbia 65 për qind. Edhe kjo e fundit shënoi një rënie të ndjeshme, nga 93 për qind në vitin 2024.


Një nga elementet e reformës është hapja e tregut hekurudhor për operatorët. Në këtë tregues, Shqipëria vlerësohet në nivelin 52 për qind, kundrejt 89 për qind për Serbinë, 67 për qind për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, 56 për qind për Malin e Zi dhe 40 për qind për Bosnjë-Hercegovinën.


Modernizimi i infrastrukturës ecën me ritme të ngadalta

Në Shqipëri vijojnë punimet për lidhjen hekurudhore të Aeroportit të Tiranës, si pjesë e projektit të linjës Tiranë-Durrës. Raporti përmend gjithashtu punën përgatitore për lidhjen e Porto Romanos dhe Vlorës me rrjetin rrugor dhe hekurudhor.


Megjithatë, raporti vlerëson se ritmi i përgjithshëm i ndërtimit të terminaleve multimodale dhe modernizimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor mbetet relativisht i ngadaltë.


Një pjesë e reformës synon krijimin e lidhjeve më të mira ndërmjet hekurudhave, porteve, aeroporteve dhe transportit rrugor, për të lehtësuar kalimin e mallrave nga një mënyrë transporti në tjetrën. Shqipëria ende nuk ka transpozuar rregullat europiane për transportin e kombinuar të mallrave. Sipas raportit, vetëm Serbia dhe Mali i Zi i kanë transpozuar pjesërisht këto rregulla, ndërsa vendet e tjera të rajonit jo.


Pak progres në lidhjet hekurudhore ndërkufitare

Dobësi mbeten edhe kalimet hekurudhore ndërkufitare. Aktivitetet e planifikuara për vitin 2025 shënuan shumë pak ose aspak progres në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të disa zhvillimeve ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.


Vendet e tjera nuk shënuan përparim të rëndësishëm në krijimin e kuadrit ligjor për kontrollet e përbashkëta hekurudhore në kufi, ngritjen e stacioneve të përbashkëta apo rinovimin e linjave hekurudhore ndërkufitare.


Shqipëria paraqitet gjithashtu nën mesataren rajonale për përputhshmërinë e rregullave të saj me sistemin europian të hekurudhave. Treguesi për vendin është 42 për qind, kundrejt një mesatareje prej 64 për qind në Ballkanin Perëndimor. Serbia arrin në 92 për qind, Kosova dhe Mali i Zi në 67 për qind, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut në 58 për qind.



Burimi: Monitor


Më të lexuarat